15 zyrtarë korrektues të Kosovës përfundojnë me sukses trajnimin në Danimarkë

Ballina » 15 zyrtarë korrektues të Ko...

16.12.2025

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ridvan Hoti dhe Kryeinspektori, z. Muamer Bikliqi morën pjesë në ceremoninë e certifikimit të 15 zyrtarëve korrektues të Kosovës, e cila u zhvillua në Kopenhagë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, z. Peter Hummelgaard, Drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, znj. Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy vendet.
Gjatë fjalës së tij, z. Hoti theksoi se kjo ceremoni shënon suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përfunduar një trajnim të avancuar në Danimarkë. Ai e vlerësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, e ndërtuar mbi vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm gjithashtu vlerësoi marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e cilësuar atë si një partneritet unik dhe të besueshëm që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne të korrektimit.
Ai shprehu mirënjohje për autoritetet daneze, trajnerët dhe mentorët për profesionalizmin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ceremoni nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një kapitulli të ri që kërkon standarde të larta profesionale, etikë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, z. Peter Hummelgaard, uroi zyrtarët korrektues kosovarë për përfundimin e suksesshëm të trajnimit dhe theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve. Ai falënderoi gjithashtu stafin danez për mikpritjen dhe angazhimin e tyre, duke nënvizuar se ky projekt mbetet prioritet i lartë dhe se pritet që edhe grupe të tjera zyrtarësh nga Kosova të përfundojnë trajnimin.
Drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, znj. Ina Eliasen, theksoi se trajnimi i zyrtarëve korrektues nga Kosova është thelbësor për përgatitjet para vënies në funksion të burgut. Ajo vlerësoi suksesin e grupit të parë, përfshirë trajnimin në kulturën daneze dhe menaxhimin e burgjeve, si dhe falënderoi zyrtarët nga të dy vendet për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit.
Trajnimi mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët tanë korrektues treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë. Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ky sukses dëshmon aftësinë, seriozitetin dhe motivimin e oficerëve tanë korrektues, të cilët vazhdojnë të jenë shembull i përkushtimit ndaj standardeve më të larta profesionale dhe etikës në fushën e menaxhimit të sistemeve korrektuese.