25.03.2026
Në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me U.D. Drejtorin e Qendrës Edukuese Korrektuese në Lipjan, Fitim Berbatovci, kanë pritur në vizitë Ambasadoren e Holandës në Kosovë, Karin Boven dhe dy profesorë nga Holanda të angazhuar në projekte për trajtimin dhe rehabilitimin e të miturve.
Gjatë takimit u diskutua për trajtimin e të miturve, përmirësimin e programeve rehabilituese dhe ngritjen profesionale të stafit. U theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Profesorët prezantuan përvojat e tyre në kuadër të projekteve të realizuara, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e qasjes rehabilituese ndaj të miturve në Kosovë. Ata gjithashtu shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e aktiviteteve të reja me stafin korrektues.
Delegacioni vizitoi nga afër hapësirat e qendrës, kabinetet e aktiviteteve dhe të punës, ku u njoh me kushtet, programet dhe punën që bëhet me të miturit në funksion të risocializimit të tyre.
