Me mbështetjen dhe organizimin e Këshillit të Evropës, në kuadër të projektit “Harmonizimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, ka filluar trajnimi i fasilitatorëve për zbatimin e Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave.
Në këtë trajnim po marrin pjesë gjithsej 16 zyrtarë, përfshirë zyrtarë për zbatim të programeve rehabilituese dhe zyrtarë për çështje sociale. Trajnimi është i ndarë në tri faza dhe do të udhëhiqet nga ekspertë të fushës, me qëllim përgatitjen profesionale të pjesëmarrësve për zbatimin e këtij programi në institucionet korrektuese.
Përmes këtij procesi, Shërbimi Korrektues i Kosovës synon të rrisë kapacitetet e stafit dhe të zgjerojë zbatimin e programit edhe në institucionet tjera korrektuese.
Deri më tani, për shkak të kufizimeve në kapacitetet e stafit, ky program është zbatuar vetëm në Qendrën Korrektuese Dubravë.