Historike: Shërbimi Korrektues i Kosovës fiton Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga ICPA

Ballina » Historike: Shërbimi Korrekt...

29.10.2025

Shërbimi Korrektues i Kosovës është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve dhe Shërbimeve Korrektuese (ICPA), për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”. Ky vlerësim prestigjioz iu nda sot gjatë Forumit të Shefave të Shërbimeve të ICPA-së, i cili po mbahet në Stamboll, Turqi, në kuadër të Konferencës së 27-të Vjetore të kësaj organizate ndërkombëtare.

Çmimin e ka pranuar Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, i cili në emër të institucionit ka falënderuar organizatën ICPA për këtë vlerësim të lartë ndërkombëtar dhe ka theksuar se ky sukses është rezultat i punës së përbashkët, profesionalizmit dhe përkushtimit të të gjithë stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ky çmim prestigjioz përbën njohje të qartë për transformimin e thellë që ka kaluar Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë viteve të fundit për përkushtimin, profesionalizmin dhe vizionin e çdo punonjësi që çdo ditë punon me integritet dhe pasion për ndërtimin e një sistemi korrektues më njerëzor dhe më efikas.

Falënderim i veçantë u drejtohet profesionistëve të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, për përkushtimin, profesionalizmin dhe rolin vendimtar në realizimin e projektit fitues. Ky çmim është edhe i tyre.

Po ashtu, Shërbimi Korrektues i Kosovës shpreh mirënjohje për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe për ish-Ministren e Drejtësisë dhe Ministrin aktual, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e reformave dhe transformimit institucional.

Falënderime të sinqerta u drejtohen edhe partnerëve ndërkombëtarë, Ambasadës Amerikane, EULEX-it, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe organizatave tjera që kanë mbështetur me përkushtim zhvillimet pozitive në sistemin korrektues.

Ky çmim nuk është vetëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës  është çmim i Kosovës, i çdo zëri që beson në ndryshim, rehabilitim dhe dinjitet njerëzor.

Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë me përkushtim edhe më të madh rrugën e transformimit, me synimin që të mbetet lider i reformave korrektuese në rajon dhe më gjerë.