30.11.2024
Një hap historik dhe arritje e jashtëzakonshme për sistemin korrektues të Kosovës: Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) zyrtarisht është pranuar si anëtar i rrjetit prestigjioz evropian të burgjeve EuroPris.
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, ka pranuar letrën zyrtare të konfirmimit për anëtarësimin. Ky vendim shënon një pikë kthese për integrimin ndërkombëtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke përforcuar pozicionin e tij si një institucion modern dhe i përkushtuar për standardet evropiane në sistemin e drejtësisë dhe atë korrektues.
Në letrën e tij zyrtare, Drejtori Ekzekutiv i EuroPris, z. Gustav Tallving, deklaroi:
“Në emër të Bordit dhe Sekretariatit të EuroPris, kam kënaqësinë t’ju informoj se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në EuroPris është miratuar. Ne mirëpresim ngrohtësisht Shërbimin Korrektues të Kosovës në rrjetin tonë të respektuar të shërbimeve korrektuese evropiane, ku presim të forcojmë bashkëpunimin, shkëmbimin e njohurive dhe progresin e përbashkët në sektorin e burgjeve dhe provës.”
Ky anëtarësim ofron mundësi të reja për Kosovën, duke përfshirë, shkëmbimin e praktikave më të mira, ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe avancimin e reformave në sistemin korrektues të Kosovës.
EuroPris, si një platformë unike që lidh institucionet e burgjeve dhe atyre sprovuese në të gjithë Evropën, promovon standarde të larta, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përmes këtij rrjeti, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe mësimeve të veta, duke përfituar gjithashtu nga praktikat më të mira të vendeve anëtare.
Kjo arritje vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të palodhur të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe mbështetjes së partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Përveç anëtarësimit në EuroPris, Kosova është gjithashtu edhe anëtare e International Corrections and Prisons Association (ICPA), duke përforcuar edhe më tej rolin e saj në arenën ndërkombëtare të sistemit korrektues.
Ky është një hap madhor drejt drejtësisë dhe integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare!