Deoutetët e Kuvendit vizitojnë Qendren Korrektuese për të Mitur në Lipjan

Ballina » Deoutetët e Kuvendit vizito...

22.05.2024

Array

Sot, Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, z. Ismet Fekaj, ka pritur deputetët e Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha, z. Driton Selmanaj dhe z. Erxhan Galushi, të cilët janë njëherësh edhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

Vizita kishte për qëllim inspektimin e zbatimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, si dhe vlerësimin e programeve rehabilituese për të mitur, trajtimin dhe kushtet e përgjithshme brenda institucionit korrektues.

Gjatë vizitës, deputetët patën mundësinë të njihen nga afër me avancimin e bërë në fushën e rehabilitimit dhe risocializimit të të miturve. Ata përgëzuan stafin për punën e tyre të palodhur dhe u shprehën të kënaqur me kushtet dhe programet që ofrohen në këtë institucion.

Gjatë vizitës, deputetët patën rastin të ndajnë certifikata për trembëdhjetë të mitur që kanë përfunduar me sukses disa nga programet rehabilituese të ofruara nga kjo qendër.

Këto programe përfshijnë Masat për Trajtimin e Varësisë nga Drogat, Biseda për Ndryshim dhe Aftësime Profesionale në fushat e instalimit të ujit dhe kanalizimeve, si dhe elektroinstalimeve.

Deputetët, gjatë ndarjës së certifikatave, theksuan rëndësinë e këtyre arritjeve për të ardhmen e të miturve dhe për integrimin e tyre në shoqëri.

Në fund të vizitës, deputetët premtuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve dhe programeve në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të gjithanshme dhe humane në trajtimin e të miturve.