Në kuadër vizitës studimore treditore të delegacionit nga Maqedonia e Veriut, e mbështetur nga Këshilli i Evropës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, priti në takim homologun nga Maqedonia e Veriut, Drejtorin e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, z. Aleksandar Pandov.
Gjatë takimit, palët diskutuan për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe funksionimin e koordinuar të kujdesit shëndetësor në institucionet korrektuese, përfshirë organizimin strukturor dhe kornizat ligjore e operative që e rregullojnë këtë fushë në të dyja vendet.
Në kuadër të vizitës, u realizuan vizita në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku u prezantua mekanizmi koordinues për kujdesin shëndetësor në burgje. Këto vizita përfshinë shkëmbim përvojash me menaxhmentin e institucioneve korrektuese dhe personelin mjekësor, si dhe prezantimin e praktikave dhe procedurave që synojnë përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të burgosurit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shëndetësisë së Burgjeve, me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore brenda sistemit korrektues.


