Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e sigurisë dhe menaxhimit korrektues, më 13 dhe 14 korrik, Shërbimi Korrektues i Kosovës priti në vizitë studimore një delegacion nga Departamenti Kundër Narkotikëve i Policisë së Mbretërisë së Jordanisë. Vizita u organizua me mbështetjen e ICITAP dhe INL.
Gjatë vizitës dyditore, delegacioni zhvilloi takime me Departamentin e Inteligjencës Korrektuese të SHKK-së, ku u prezantuan struktura, funksionimi dhe praktikat e punës së kësaj njësie. Përfaqësuesit jordanezë u njoftuan me metodat operative, proceset e analizës së informacionit, politikat e sigurisë, sfidat me të cilat është përballur njësia që nga themelimi, mënyrat e tejkalimit të tyre, si dhe me trajnimet dhe rezultatet e arritura ndër vite.
Në kuadër të vizitës, delegacioni u prit edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili u uroi mirëseardhje dhe i falënderoi për interesimin për shkëmbimin e përvojave me SHKK-në. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shprehu gatishmërinë e SHKK-së për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fusha me interes të përbashkët.
Përfaqësuesit e delegacionit jordanez falënderuan SHKK-në për mikpritjen dhe mundësinë e ofruar për t’u njohur nga afër me punën e Departamentit të Inteligjencës Korrektuese. Ata vlerësuan profesionalizmin dhe përvojën e krijuar nga kjo njësi, duke theksuar se njohuritë dhe praktikat e ndara gjatë kësaj vizite do t’u shërbejnë në avancimin e mëtejshëm të punës së tyre.
Vizita studimore përbën një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të SHKK-së dhe shkëmbimin e praktikave më të mira me institucionet homologe në fushën e sigurisë dhe menaxhimit korrektues.




