Shërbimi Korrektues i Kosovës mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të Javës së Nënë Terezës 2026, të mbajtur në Muzeun e Nënë Terezës në Prizren, ku tema qendrore e programit këtë vit ishte bamirësia.
Në këtë aktivitet mori pjesë Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Ylber Topalli, duke përfaqësuar Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Një pjesë e veçantë e aktivitetit ishte ekspozita shitëse me punime artistike të realizuara nga gratë e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan. Përmes këtyre punimeve, u prezantuan para publikut rezultatet e aktiviteteve kreative dhe programeve rehabilituese që zhvillohen në Qendër, me synim zhvillimin e aftësive, fuqizimin dhe përgatitjen e grave për riintegrim në shoqëri.
Të hyrat nga shitja e punimeve do t’u dedikohen drejtpërdrejt grave që i kanë realizuar ato, duke e bërë këtë aktivitet një shembull konkret të mbështetjes dhe fuqizimit përmes punës dhe kreativitetit.
Pjesëmarrja e SHKK-së në këtë aktivitet pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të institucionit për të mbështetur rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, duke krijuar hapësira për zhvillimin e aftësive të tyre dhe promovimin e punës së tyre kreative.
Përmes këtyre aktiviteteve, SHKK synon që procesi i rehabilitimit të shkojë përtej qëndrimit në institucion, duke krijuar mundësi konkrete për përfshirje, vlerësim dhe riintegrim në komunitet.



