Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Fondacioni BONEVET – Prishtinë, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të zhvillimit të programeve edukative, trajnuese dhe rehabilituese për të miturit që mbahen në Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan.
Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, dhe Zevendesdrejtoresha e Fondacioni BONEVET – Prishtinë, Dea Basholli.
Ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin personal dhe profesional të të miturve përmes aktiviteteve edukative, trajnimeve praktike, mentorimit dhe programeve që nxisin risocializimin dhe përgatitjen e tyre për riintegrim në shoqëri.
Sipas memorandumit, Fondacioni BONEVET – Prishtinë do të hartojë dhe zbatojë programet trajnuese, do të angazhojë trajnerë dhe mentorë, do të sigurojë materialet dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve, si dhe do të përgatisë raporte dhe analiza mbi rezultatet e arritura.
Aktivitetet do të realizohen në koordinim të plotë me Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat e sigurisë.
Përmes këtij memorandumi, Shërbimi Korrektues i Kosovës rikonfirmon përkushtimin për fuqizimin e programeve rehabilituese dhe krijimin e mundësive që kontribuojnë në zhvillimin e aftësive dhe riintegrimin e suksesshëm të të miturve në shoqëri.
