U.d. Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Korrektues të Kosovës, znj. Trëndelina Qorraj, mori pjesë në konferencën rajonale me temën: “Rehabilitimi dhe Riintegrimi i të Burgosurve Ekstremistë të Dhunshëm dhe të Burgosurve në Rrezik nga Radikalizimi: Rrugët drejt Kthimit të Qëndrueshëm në Komunitet”, organizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Këshillit të Evropës.
Konferenca u organizua në kuadër të veprimit rajonal “Fuqizimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, duke mbledhur përfaqësues institucionalë nga vendet e rajonit dhe ekspertë nga Këshilli i Evropës.
Gjatë punimeve të konferencës u diskutuan strategjitë, praktikat më të mira dhe përvojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në monitorimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të përfshirë ose të rrezikuar nga ekstremizmi i dhunshëm. Po ashtu, u prezantuan të arriturat e deritanishme në kuadër të projektit rajonal, si dhe sfidat aktuale në parandalimin e radikalizimit dhe promovimin e riintegrimit të qëndrueshëm pas lirimit.
Në kuadër të paneleve të kësaj konference, u prezantua edhe përvoja e shërbimeve të inteligjencës së burgjeve në parandalimin dhe luftimin e radikalizimit në burgje, ku praktikat e Sherbimit Korrektues në këtë aspekt u prezantuan nga u.d Drejtori i Departamentit për Inteligjencë, z. Alban Rrahmani.
Me këtë rast, Shërbimi Korrektues i Kosovës prezantoi përvojën dhe rezultatet e arritura në menaxhimin dhe trajtimin e personave të privuar nga liria, duke vënë theks të veçantë në respektimin e të drejtave të njeriut, rehabilitimin efektiv dhe ruajtjen e balancës ndërmjet sigurisë institucionale dhe trajtimit human gjatë ekzekutimit të sanksioneve penale.
Po ashtu, konferenca shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet institucioneve korrektuese të vendeve të rajonit, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, avancimin e qasjeve profesionale dhe zhvillimin e mekanizmave efektivë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, rehabilitimin dhe riintegrimin e qëndrueshëm të të burgosurve në shoqëri.


