Shërbimi Korrektues i Kosovës në vizitë studimore në Gjermani për avancimin e sistemit korrektues

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ridvan Hoti, si dhe zyrtarë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës, po qëndrojnë në një vizitë studimore në Berlin, Gjermani, gjatë periudhës 29 qershor – 3 korrik 2026.

Vizita është organizuar nga Deutsche Stiftung für Internationale Rechtliche Zusammenarbeit (IRZ) – Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, me qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e diskutimeve me ekspertë mbi funksionimin e sistemit gjerman të burgjeve dhe shërbimeve sprovuese.

Në kuadër të agjendës zyrtare, delegacioni është pritur në Departamentin e Senatit për Drejtësi dhe Mbrojtje të Konsumatorit në Berlin nga Zëvendësdrejtoresha znj. Kerstin Becker, ku janë zhvilluar diskutime lidhur me organizimin institucional, politikat korrektuese dhe praktikat e administrimit të sistemit penitenciar në Gjermani.

Po ashtu, delegacioni është pritur edhe nga znj. Gabriele Grote-Kux, Kryesuese e Shërbimeve Gjyqësore dhe Sprovuese, si dhe nga znj. Kathleen Kurch, Drejtoreshë Menaxhuese e Freie Hilfe Berlin, me të cilat janë zhvilluar diskutime profesionale lidhur me organizimin, praktikat dhe qasjet që aplikohen në sistemin korrektues dhe atë sprovues në Gjermani.

Gjatë vizitës, delegacioni ka realizuar vizita në disa institucione korrektuese, përfshirë burgun e grave, burgun e tipit të hapur dhe burgun e tipit të mbyllur, ku nga afër janë prezantuar praktikat e administrimit të burgjeve, trajtimi i personave të privuar nga liria, programet rehabilituese, aftësimi profesional dhe mundësitë e risocializimit.

Temat kryesore të diskutimit përfshijnë trajtimin e grupeve vulnerabël në sistemin e burgjeve dhe garantimin e standardeve të mbrojtjes në përputhje me të drejtat e njeriut, konceptet moderne të trajtimit dhe rehabilitimit, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve korrektuese dhe shërbimeve të dënimit me kusht, si dhe organizimin dhe praktikat e sistemit gjerman me mundësinë e aplikimit të modeleve të suksesshme në Kosovë.

Në fokus të veçantë janë edhe temat që lidhen me zhvillimin e shërbimeve sprovuese, menaxhimin dhe ngritjen profesionale të stafit, trajtimin e rasteve të ndjeshme dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Kjo vizitë studimore paraqet një mundësi të rëndësishme për avancimin e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e reformave në sistemin korrektues dhe sprovues të Kosovës, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors