Në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë është përmbyllur me sukses grupi i katërt i Programit për Menaxhimin e Zemërimit, me pjesëmarrjen e 10 të burgosurve.
Programi është udhëhequr dhe realizuar nga zyrtarët socialë profesionistë, znj. Lauretë Mlinaku, znj. Hidajete Hyseni dhe z. Nehat Haradinaj, të cilët gjatë gjithë procesit kanë kontribuar me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.
Gjatë programit, pjesëmarrësit kanë përfituar njohuri dhe aftësi praktike për identifikimin, kontrollin dhe menaxhimin e emocioneve, zhvillimin e sjelljeve pozitive, si dhe marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme në situata të ndryshme.
Me rastin e përfundimit të programit, Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, z. Avni Miftari, së bashku me zyrtarët e kësaj qendre, u ka ndarë pjesëmarrësve certifikatat e përfundimit të programit.
Programi për Menaxhimin e Zemërimit synon të kontribuojë në rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve në shoqëri, duke forcuar aftësitë e tyre për vetëkontroll, komunikim efektiv dhe menaxhim konstruktiv të situatave sfiduese.

