Në Qendrën e Paraburgimit në Pejë u promovua murali “Ngjyrat e dinjitetit”, një vepër artistike që përcjell mesazhe të shpresës, dinjitetit, rehabilitimit dhe fuqisë transformuese të artit.
Murali u realizua në bashkëpunim ndërmjet Qendrës së Paraburgimit në Pejë dhe Zyrës për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës dhe komunitetit artistik, me pjesëmarrjen edhe të dy personave në paraburgim, të cilët kontribuan në krijimin e kësaj vepre artistike.
Në ceremoninë e promovimit morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, ndërsa të pranishmit u mirëpritën nga UD Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në SHKK, Trëndelina Qorraj, dhe Drejtoresha e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Ardita Osaj Blakaj.
Me këtë rast, znj. Trëndelina Qorraj ndau mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e muralit, në shenjë vlerësimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve që promovojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria përmes artit dhe aktiviteteve pozitive.





