Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të sigurisë, Departamenti i Sigurisë në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka realizuar bastisje dhe kontrolle në zonat sterile të institucionit.
Kontrollet janë ndërmarrë bazuar në informacionet e pranuara për mundësinë e hedhjes së kontrabandës në hapësirat përreth dhe brenda perimetrit të sigurisë së Qendrës Korrektuese të Dubravës.
Gjatë kontrollit të realizuar në zonat sterile, janë gjetur gjashtë telefona mobilë, të cilët ishin të mbështjellë në tri paketime të veçanta. Pesë prej tyre ishin të markës Samsung, ndërsa një i markës Redmi. Njëri nga telefonat Samsung nuk kishte numër identifikues.
Në një tjetër kontroll, të realizuar në zonën sterile brenda perimetrit të sigurisë, ndërmjet zonave sterile, janë gjetur tri paketime që përmbanin katër telefona mobilë, dy kabllo për mbushje të telefonave, nëntë koka adapterësh dhe dy palë kufje.
Për rastet është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa të gjitha sendet e gjetura janë sekuestruar dhe do të trajtohen sipas procedurave përkatëse.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në forcimin e vazhdueshëm të masave të sigurisë dhe në parandalimin e çdo forme të kontrabandës në institucionet korrektuese.
Kontrollet e rregullta, mbikëqyrja e vazhdueshme dhe reagimi i shpejtë i zyrtarëve korrektues janë pjesë e punës së përditshme për ruajtjen e sigurisë, rendit dhe funksionimit të rregullt të institucioneve korrektuese.






