Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Gjatë takimit, Dibrani e falënderoi Barbano për bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se falë këtij partneriteti sot Shërbimi Korrektues i Kosovës ka avancuar në nivel ndërkombëtar. Ai përmendi edhe vlerësimet që institucioni ka marrë përmes projekteve inovative, përfshirë çmimin ndërkombëtar të ekselencës nga International Corrections and Prisons Association për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”, si dhe përfshirjen në mesin e pesë iniciativave më të mira në EuroPris Prison Award me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.
Nga ana e tij, Giovanni Pietro Barbano e falënderoi Dibranin për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional gjatë gjithë mandatit të tij, duke vlerësuar lart angazhimin e e tij në përparimin të institucioneve korrektuese të Kosovës. Ai theksoi se rezultatet e arritura janë dëshmi e një partneriteti të qëndrueshëm dhe të bazuar në besim të ndërsjellë, si dhe përkushtimit për forcimin e sundimit të ligjit dhe standardeve evropiane në sistemin korrektues.
Në fund, u theksua se bashkëpunimi me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë ka ndikuar në ngritjen profesionale të sistemit korrektues në Kosovë, duke e bërë atë më efikas, më të besueshëm dhe më të qëndrueshëm.
