Historiku

Ballina » Historiku

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar punën më 28 nëntor të vitit 1999, fillimisht me hapjen e Qendrës së parë të Paraburgimit në Prizren për të vazhduar pastaj me hapjen e qendrave tjera korrektuese nëpër qendrat më të mëdha të vendit.

SHKK ka trashëguar një gjendje të infrastrukturës jofunksionale, mirëpo me punë, përkushtim dhe përkrahje është vu në funksion të plotë sistemi i ekzekutimit të dënimeve dhe masës se paraburgimit, ku janë arritur përparime të dukshme si në infrastrukturë ashtu edhe në ngritjen e nivelit të cilësisë së punës.

Në prill të vitit 2000 është rekrutuar dhe trajnuar gjenerata parë prej 60 oficerëve korrektues, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan punën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë, Shërbimi Korrektuese i Kosovës në radhët e veta numëron 1386 staf të uniformuar dhe 283 staf civil, profesional dhe mbështetës, të trajnuar dhe përkushtuar për përmbushjen e misionit të SHKK-së.

Shërbimi i ri korrektues, është krijuar në bazat e një shërbimi demokratik dhe profesional. Një shërbim i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesëtarë të këtij shërbimi.

Të gjithë pjesëtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë të përkushtuar në shërbimin e tyre, duke u mbështetur në: Vizionin, Misionin dhe Vlerat e këtij Shërbimi.

Shërbimi Korrektues i Kosovës që nga themelimi i saj është pjesë e zhvillimeve të përgjithshme të rrethanave në Kosovën e pasluftës e cila ka kaluar nëpër sfida dhe vështirësi të ndryshme gjatë gjithë fazës së tranzicionit e deri në fazën pas shpalljes së pavarësisë. Megjithatë, ne kemi arritur progres të dukshëm në përmbushjen e misionit, fillimisht me ndihmën e donatorëve, si dhe me punën e tërë stafit, në të gjitha nivelet u krijuan kushtet më elementare, dhe deri në vitin 2001, viti i cili shënoi fillimin e funksionimit të mirëfilltë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, tani Shërbimi Korrektues vepron dhe ka nën administrim institucionet, si:

– Qendrën Korrektuese  Dubravë;

– Qendrën Korrektuese Smrekonicë;

– Qendrën Korrektuese Lipjan;

– Qendrën Edukativo -Korrektuese Lipjan;

– Qendrën e Paraburgimit Lipjan;

– Qendrën e Paraburgimit Prizren;

– Qendrën e Paraburgimit Prishtinë;

– Qendrën e Paraburgimit Gjilan;

– Qendrën e Paraburgimit Pejë;

– Qendrën e Paraburgimit Mitrovicë;

– Burgu i Sigurisë së Lartë.

Duke pas parasysh mundësitë dhe punët të cilat janë zhvilluar me intensitet të lartë, sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë një hap të rëndësishëm duke u bërë anëtar i International Corrections and  Prisons Association, ICPA.

Misioni dhe Vizioni

Misioni i Shërbimit Korrektues të Kosovës është që, në bashkëpunim me të gjithë partnerët e Drejtësisë dhe në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet e Kosovës t’i korrektoi dhe t’i risocializoi të burgosurit duke respektuar të drejtat e tyre fundamentale pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin si dhe të siguroi një ambient të sigurt për stafin, të burgosurit dhe shoqërinë.

Vizioni i SHKK-së është zhvillimi i një Shërbimi Korrektues të avancuar i cili do të funksionoi në përputhje me ligjin, normat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare.

Mandati

Sipas Ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP), SHKK është përgjegjës për organizimin mbikëqyrjen dhe zbatimin Sanksioneve Penale. Veprimtaria e tij është risocializimi i personave të dënuar gjatë mbajtjes së dënimit dhe riintegrimi i tyre në shoqëri duke kryer kështu një detyrë me rëndësi në mbrojtjen e Republikës së Kosovës nga përsëritja e veprave penale dhe parandalimi i kriminalitetit në të ardhmen.

Detyrat kryesore të SHKK-së janë:

• Organizimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe burgim afatgjatë;

• Organizimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e burgimit dhe masave edukuese/korrektuese për të Miturit;

• Organizimi i programeve që i kontribuojnë riedukimit, përgatitjes për lirim dhe mbikëqyrjes afatgjate të personave të dënuar.

• Zbatimin e masës së paraburgimit për të paraburgosurit të cilët mbahen në institucionet e SHKK-së

Barazia:

Shërbimi Korrektues është i vendosur në promovimin e barazisë në të gjitha sferat e punës dhe veprimit, si dhe angazhohet për një shoqëri të shëndoshë me një emancipim gjithmonë në ngritje duke respektuar barazinë gjinore, përkatësinë kombëtare, të drejtën e mendimit dhe besimit, statusin social etj . Ndalimi i çfarëdo lloji të diskriminimit është një prej prioriteteve kryesore të SHKK-së dhe pjesë e agjendës së gjerë të barazisë, gjë e cila është esenciale për udhëheqjen e sigurt dhe të suksesshme të SHKK-së. Për t’a arritur nivelin e dëshiruar të barazisë e vetmja mënyrë e drejtë është kur të sigurohemi së të gjithë trajtohen me dinjitet dhe në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të barabartë, pa dallim ngjyre, gjinie, race, besimi, bindjeje politike, statusi social, aftësive psiko-fizike, etj..

Vlerat

1. Republika e Kosovës ka përqafuar parimet e përgjithshme për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe ka garantuar me Kushtetutën e saj këto të drejta. Së këndejmi edhe në aspektin e shqiptimit dhe zbatimit të sanksionit penal ka avancuar drejt humanizmit të dënimit me qëllim të zhdukjes së karakterit hakmarrës duke e garantuar të drejtën e njeriut për jetë.

2. Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.

3. Bashkëpunimi me partnerët tjerë të cilët afektojnë në SHKK.

4. SHKK është i vendosur në promovimin e barazisë, respektimin e diversitetit kulturor, etnik, fetar, gjinor në të gjitha sferat e punës dhe veprimtarisë.

5. Potenciali i resurseve njerëzore bazuar në; ndershmëri, transparencë, përgjegjësi, llogaridhënie dhe në etikën profesionale.

Vlerat mbi të cilat mbështetet stafi i SHKK-së

Drejtësia;

Siguria;

Respektimi i dinjitetit;

Besimi në shkathtësitë dhe profesionalizmin për tu zhvilluar, ndryshuar dhe avancuar.

Baza Ligjore

Baza Ligjore e SHKK-së mbështetet në Ligjet e aplikueshme në Kosovë të aprovuara nga

Kuvendi i Republikës, e që janë:

• Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) i Kosovës, Prishtinë, 2013;

• Kodi Penal i Kosovës, Prishtinë;

• Kodi i Procedurës Penale i Kosovës, Prishtinë;

• Kodi i Drejtësisë për të Mitur i Kosovës, Prishtinë, 2010.

Profesionalizmi:

Stafi dhe udhëheqësit bashkëveprojnë në mënyrë profesionale me të burgosurit.
Puna së bashku, ndihma ndaj të tjerëve, si dhe ngritja e marrëdhënieve të jashtme dhe brendshme.

Duke qenë punëtor, i cili zgjedh vlerat profesionale, vazhdon të besoj në vlerat inspiruese përparimtare, inkurajon punëtorët që të kenë krenari për punën e tyre, për vlerat dhe kontributin që ofrojnë.

Mundëson dhe siguron që personat të marrin përgjegjësi personale për veprimet e tyre.

Profesionalizmi i personelit të SHKK-së vlerësohet në periudha të ndryshme kohore, më qellim të përcaktimit të nivelit profesional të tyre.

Synimet dhe Objektivat:

Duke qenë të vetëdijshëm për detyrat tona specifike dhe madhore, synimet tona janë të ndërlidhura edhe me zhvillimet e shoqërisë në përgjithësi, besojmë se roli dhe synimet tona të arritura në të kaluarën dhe ardhmen do të jenë fundamentale për një shoqëri ku dominon ligji dhe respektohen liritë dhe të Drejtat e të gjithëve. Synimet tona strategjike do jenë:

1. Sigurimi i një menaxhimi dhe mbikëqyrje  efektive për të burgosurit. Duke ndryshuar kushtet për menaxhimin dhe zbatimin e rregulloreve në pajtim me drejtat e të burgosurve, duke zhvilluar praktikat që më së miri do të përshtaten;

2. Kontributi në reduktimin e Recidivizmit , SHKK-ja synon të reduktoj nivelin e recidivizmit duke ofruar programe për rehabilitim dhe ri-integrim të suksesshëm të burgosurve;

3.Rritjen e aftësive dhe kapaciteteve

Për punë të suksesshme SHKK-ja ka nevojë për ngritje të aftësive vepruese dhe kapaciteteve (teknologji dhe infrastrukturë);

4. Nxjerrja e vazhdueshme e rregulloreve të brendshme që ndihmojnë në konkretizimin e dispozitave të përgjithshme të Ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, dhe respektimin e të drejtave të burgosurve;

5. Krijimi i kushteve për arsimim të obligueshëm fillor dhe atë profesional për të burgosur, dhe ofrimi i programeve adekuate për aftësime profesionale të ndryshme;

6. Bashkëpunimi me Organizatat Qeveritare dhe Joqeveritare në interes të shërbimit në përgjithësi, si dhe të burgosurve në veçanti.

Njësia Ekonomike e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës, aktivitetin e vet ekonomik e zhvillon në katër qendra korrektuese: në Dubravë, Smrekonicë, Lipjan dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Në Burgun e Sigurisë së Lartë ka filluar prodhimi i letrës higjienike dhe të kuzhinës. Produktet e prodhuara nga të burgosurit e BSL-së, do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese, e në të ardhmen të plasohen edhe në tregun vendor.

Qendra Korrektuese e Dubravës, sipas shënimeve gjeo – kadastrale ka 140 hektarë tokë. Prej tyre, të rrethuar me mure janë 24 hektarë, ndërsa tokë e punueshme bujqësore janë rreth 116 hektarë në të cilat aktivitetet e tyre i zhvillojnë degët, si më poshtë:

Dega e perimtarisë;

Dega e fushës së hapur;

Dega e agro-punëtorisë;

Dega e blegtorisë;

Dega për mirëmbajtje të ambientit.

Arsimimi i të burgosurve

Në institucione korrektuese ofrohet arsimim për të gjithë të burgosurit, procesi mësimor organizohet për nivelet e arsimit parauniverzitar. Arsimimi zhvillohet për profile arsimore të miratuara nga MASHT-i, dhe arsimimi i të burgosurve është ekuivalent me arsimimin e përgjithshëm në Republikën e Kosovës.

Aftësimi profesional i të dënuarave

Në Shërbimin Korrektues funksionojnë qendrat për aftësim profesional të dënuarve, të cilat kanë hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e trajnimeve, si dhe për prodhim. Stafi trajnues është i certifikuar nga Qendra e Aftësimit Profesional të MPMS. Pas përfundimit të  çdo  trajnimi edhe të dënuarit çertifikohën.

Aktualisht, në institucionet korrektuese  janë duke u zhvilluar aftësime profesionale në këto lëmi:

– Teknologji e informacionit (Word-exel);

– Instalues të ujit dhe kanalizimit;

– Axhustator;

– Saldues;

– Zdrukthëtari;

– Ndërtimtari (Qeramikë, fasadues, armirues, murator, latues etj.,)

Punësimi i të burgosurve jashtë institucionit korrektues

Në Shërbimin Korrektues nga ky vit, ka filluar të u mundësohet të burgosurve të përgjegjshëm  lejimi për punësim jashtë institucionit korrektues. Të burgosurit e profileve të ndryshme profesionale kanë filluar të punësohen në bizneset e ndryshme private sipas interesimit të kompanive në marrëveshje me SHKK-në.

Puna e të burgosurve është një aktivitet i nevojshëm drejtë risocializimit të suksesshëm dhe përgatitjes së tyre  për tu rikthyer në shoqëri si individ të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë dhe njëkohësisht për Shërbimin Korrektues. SHKK është duke e realizuar misionin e saj ligjor për parandalimin  e përsëritjes  së krimit në të ardhmen duke synuar një shoqëri ku sundon ligji.

Presim nga shoqëria e gjerë që ti pranoi të burgosurit e punësuar në komunitet si pjesë jetës dhe punës në mjedisin e saj dhe t`i ndihmoi SHKK-së  në misionin e saj të risocializimit dhe riintegrimit të të burgosurve në shoqëri në Republikën e Kosovë.