Mirënjohje për profesionalizëm dhe reagim human në detyrë

Ballina » Mirënjohje për profesionali...

16.01.2026

Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Ridvan Hot kanë ndarë mirënjohje për Doktoreshën Dr. Ardita Bytyqi, zyrtarët korrektues Idriz Maliqi, Velko Vujoviç, Naser Fazliu, Xhelal Haxhiu, Vladan Filiç dhe Egzona Vishesella.

Vlerësimi u bë për angazhimin profesional të tyre gjatë kryerjes së detyrës, ku me reagim të shpejtë dhe veprim të koordinuar kanë arritur të parandalojnë me sukses tentativa për vetëvrasje të disa të burgosurve.

Gjatë ndarjes së mirënjohjeve u theksua përkushtimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia e treguar në momente të ndjeshme, duke shpëtuar jetë dhe duke dëshmuar nivel të lartë përgjegjësie humane dhe institucionale.

Zyrtarët u vlerësuan për kryerjen e detyrës me ndershmëri dhe përgjegjësi, duke reflektuar rolin e tyre të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por edhe në mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit njerëzor.

Drejtori Dibrani dhe Zëvendësdrejtori Hot i falënderuan për angazhimin e tyre, duke theksuar se këto veprime janë shembull i qartë i përkushtimit dhe vlerave mbi të cilat funksionon Shërbimi Korrektues i Kosovës.