Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon njëzetekatër vjetorin

Ballina » Shërbimi Korrektues i Kosov...

24.11.2023

Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar  njëzetekatër vjetorin e themelimit, me ç’ rast , u diplomua  edhe  gjenerata e 43-të  zyrtareve korrektuese.

Ceremoninë me prezence e tyre e nderuan, Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, zëvendësministri, z. Blerim Sallahu, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, punonjës dhe zyrtarë korrektues, si dhe familjarë të zyrtareve korrektuese, të cilat diplomuan sot.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, i cili tha se SHKK ka shënuar suksese në të gjitha fushat, e veçanërisht në luftën kundër kontrabandës dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“SHKK po shënon 24 vjetorin e themelimit duke dhënë një shërbim profesional në fushën e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një sistem të sigurt dhe do ta rrisim besimin në sistemin e drejtësisë. Përfundimi prej shtatë muajsh i trajnimeve, shënon një rrugë drejt profesionalizimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në luftën kundër kontrabandës”, tha drejtori Dibrani.

Kryeministri Kurti uroi zyrtaret korrektuese per rrugëtimin e ri, ndërsa  vlerësoj lartë SHKK-në për punën, profesionalizimin, ngritjen e sigurisë dhe luftimin e dukurive negative brenda institucioneve korrektuese.   

“Shënimi i përvjetorëve të institucione është i rëndësishme kur efikasiteti është i lartë dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen. Në qeverisjen tonë kemi shtuar kapacitetet profesionale për ngritjen e profesionalizmit të këtij shërbimi. Gjatë dy viteve të fundit me përkrahjen e ambasadës amerikane, janë trajnuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme. Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, sot po certifikon 45 zyrtare gra në gjeneratën e 43-të”, tha Kryeministri Kurti.

E në fjalën e saj Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës edhe pse ka pasur shumë sfida,  ka shënuar progres dhe profesionalizëm.

“Ndonëse me shumë sfida, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar progres dhe profesionalizëm. Me qëllim të kompletimit të infrastrukturës dhe cilësisë së shërbimeve dhe në profesionalizëm, ne kemi iniciuar një varg ligjesh për personat e privuar nga liria. E kur flasim per vlera dhe standarde, sot jemi te lumtur që do të certifikohen 45 gra si zyrtare korrektuese, njëherit ngjarje kjo që po ndodhë për herë të parë në Republikën e Kosovës”, tha ministrja Haxhiu.

Përveç ndarjes së certifikatave për 43 zyrtare korrektuese, nga zëvendësministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu  dhe Drejtori i Përgjithshëm z. Ismail Dibrani u bë edhe ndarja medaljeve dhe mirënjohje falënderimi për Ambasadorin Amerikan, z. Jeffrey M. Hovenier,  Shefin e Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, Këshillin e Evropës, Avokatin e Popullit, OSBE, OJQ “Help”, dhe Departamentin Shëndetësor të Burgjeve.