Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e themelimit, në një ceremoni solemne ku morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve që prej vitesh mbështesin zhvillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, në fjalimin e tij theksoi se ky përvjetor shënon një moment të rëndësishëm reflektimi mbi rrugëtimin e institucionit, i cili nga një strukturë e thjeshtë pas luftës është shndërruar në një sistem modern, profesional dhe tërësisht të orientuar drejt standardeve ndërkombëtare.
“Ky përvjetor paraqet një moment reflektimi mbi një rrugëtim 26-vjeçar sfidues, por jashtëzakonisht të suksesshëm,” tha Dibrani. Ai përmendi arritje të rëndësishme, përfshirë afër 600 raste të parandalimit të kontrabandës, një rekord i paprecedent në historinë e institucionit, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë nëpër të gjitha qendrat korrektuese.
Po ashtu, ai theksoi se vetëm në tre vitet e fundit, mbi 1,800 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe rehabilituese, duke krijuar për herë të parë lista pritjeje, si dëshmi e efektivitetit dhe besimit të shtuar në këto programe. Dibrani kujtoi se puna e SHKK-së është vlerësuar me Çmimin e Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve, si dhe me anëtarësimin në EuroPris, duke e pozicionuar Kosovën në nivelin e bashkëpunimit korrektues evropian.
Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, në adresimin e saj para të pranishmëve, vlerësoi lartë kontributin e
Shërbimit Korrektues në forcimin e rendit dhe drejtësisë në vend.
“Drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim; drejtësia është përgjegjësi, ndërtim dhe besim. Asnjë shtet nuk mund të qëndrojë drejt pa forcën e rendit dhe drejtësisë,” deklaroi Osmani. Ajo theksoi se puna e SHKK-së është shpesh e padukshme për publikun, por ka rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin dhe sigurinë publike. Presidentja shprehu falënderim të veçantë për gratë e angazhuara në sistemin korrektues, duke vënë në pah rolin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e institucionit.
Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, e cilësoi Shërbimin Korrektues si një institucion që ka dëshmuar profesionalizëm të lartë, integritet dhe kapacitet për transformim rrënjësor.
“Gjatë këtyre viteve, SHKK ka dëshmuar një nivel të jashtëzakonshëm profesionalizmi dhe integriteti. Modernizimi i infrastrukturës, ngritja e kapaciteteve profesionale të stafit dhe harmonizimi me standardet evropiane flasin qartë se ky sistem po ecën në drejtimin e duhur,” deklaroi ai.
Sallahu shtoi më tej: “Kjo që kemi arritur nuk është rastësi. Është rezultat i një pune të palodhur, i një vizioni të qartë dhe i një partneriteti të sinqertë mes Qeverisë dhe SHKK-së. Ministria e Drejtësisë ka qenë dhe mbetet partner strategjik i këtij transformimi.”
Ai theksoi projektet kryesore të mbështetura nga qeveria si: Qendra Korrektuese për Femra – Lipjan, Shtëpia e Nënave me Fëmijë, Burgu i ri i Prizrenit, Zgjerimi i kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, Funksionalizimi i Pavijonit “D” në Dubravë.
“Kjo reformë e sistemit korrektues është një nga më të rëndësishmet e kësaj dekade. Nuk është vetëm sukses institucional — është sukses i shtetit të së drejtës,” u shpreh Sallahu.
Ai theksoi se përmes paketës së re ligjore, standardeve të reja profesionale, teknologjisë moderne dhe fokusit të palëkundur në të drejtat e njeriut, ministria dhe SHKK po vendosin themelet e një sistemi korrektues që garanton siguri, drejtësi dhe rehabilitim të qëndrueshëm.
Shefi i Misionit të EULEX, z. Giovanni Pietro Barbano, vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e SHKK-së, duke e cilësuar atë si një nga partnerët më të qëndrueshëm të misionit.
“Është nder i sinqertë të jemi pjesë e këtij përvjetori. SHKK ka treguar përkushtim shembullor për avancim profesional dhe forcim të kapaciteteve rehabilituese, dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit,” u shpreh Barbano. Ai pranoi Çmimin e Mirënjohjes së Veçantë në emër të EULEX-it, si shenjë vlerësimi për partneritetin e gjatë dhe bashkëpunimin e suksesshëm.
Ambasadori i OSBE-së, z. Gerard McGurk, theksoi se “arritjet tuaja flasin vetë”. Ai vuri në dukje se në vitet e fundit Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparime domethënëse në forcimin e profesionalizmit operacional, përmirësimin e trajnimit të stafit dhe modernizimin e protokolleve të sigurisë. Sipas tij, përkushtimi për avancimin e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë mbështetjen psikologjike dhe psikososiale, është tregues i qartë i angazhimit në rritje për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Zgjerimi i programeve arsimore dhe profesionale brenda institucioneve korrektuese, tha ai, ka hapur mundësi të reja reale për rehabilitim, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e recidivizmit dhe duke përmirësuar perspektivat e riintegrimit të të burgosurve në komunitet.
Ndërsa Drejtori i Policisë së Burgjeve të Shqipërisë, z. Paulin Rajta, përgëzoi Shërbimin Korrektues të Kosovës për arritjet e tij të vazhdueshme, si në forcimin e sigurisë dhe përmirësimin e trajtimit të personave të privuar nga liria, ashtu edhe në anëtarësimin në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ai theksoi se sot SHKK përfaqëson një shembull suksesi për të gjithë rajonin, falë menaxhmentit aktual që ka ngritur standarde të larta profesionale dhe ka avancuar me hapa të qëndrueshëm drejt modernizimit të shërbimeve korrektuese.
Përvjetori i 26-të i SHKK-së shënon një etapë të rëndësishme të transformimit të sistemit korrektues drejt një sistemi më profesional, më të sigurt, më human dhe më të orientuar drejt rehabilitimit dhe riintegrimit të qëndrueshëm. Puna dhe përkushtimi i stafit korrektues u vlerësuan nga të gjithë folësit si shtylla thelbësore e funksionimit të drejtësisë dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.