Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Z. Ismail Dibrani, i dha një Mirënjohje Z. Bill Sage dhe Programit ICITAP, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Mirënjohja iu dha atij për angazhimin e tij në Programin e Mbështetjes për Njësinë e Inteligjencës Korrektuese, përmes të cilit gjatë viteve është dhënë një kontribut i vlefshëm në themelimin, profesionalizimin dhe avancimin e Njësisë së Inteligjencës së Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Drejtori Dibrani theksoi se falë bashkëpunimit të ngushtë me Z. Sage dhe programin e ICITAP-it, Njësia e Inteligjencës e Shërbimit Korrektues të Kosovës sot është bërë një shembull suksesi, jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon, duke reflektuar standarde të larta profesionale dhe efikasitet institucional. Me theks të veçantë, ai i kërkoi Z. Sage mbështetje të vazhdueshme për CIU-në dhe ndihmë në thellimin e bashkëpunimit me mekanizmat e tjerë të sigurisë në Kosovë dhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Z. Sage, me rastin e marrjes së mirënjohjes, falënderoi Drejtorin Dibrani për vlerësimin e treguar ndaj tij dhe programit të ICITAP-it.