Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës merr pjesë në Forumin e EULEX-it për 25-vjetorin e Rezolutës 1325

Ballina » Drejtori i Përgjithshëm i S...

11.11.2025

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, mori pjesë në Forumin Diskutues “Nga Rezoluta në Veprim: 25 Vjet të Grave që Transformojnë Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”, të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës.

Ky forum mblodhi përfaqësues të institucioneve të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare, shoqërisë civile, aktivistë dhe partnerë ndërkombëtarë. Pjesëmarrësit diskutuan mbi arritjet, sfidat dhe hapat e mëtejshëm për fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë dhe për zbatimin e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë.

Në fjalën e tij, Drejtori Dibrani theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, e cila shënon 25-vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara:

“Është një nder për mua të ju drejtohem sot në këtë Forum të rëndësishëm, që shënon 25-vjetorin e Rezolutës 1325 — një rezolutë historike që ka ndikuar në mënyrë thelbësore në formësimin e agjendës globale për gratë, paqen dhe sigurinë, dhe përcaktimin e rolit të pazëvendësueshëm që gratë kanë në proceset vendimmarrëse që lidhen me paqen, parandalimin e konflikteve dhe sigurinë.”

Duke folur për përfshirjen e grave në institucionet e sigurisë, drejtori Dibrani theksoi se roli i tyre mbetet thelbësor për funksionimin efektiv dhe njerëzor të këtyre institucioneve:

“Në praktikë, janë gratë brenda institucioneve të sigurisë ato që shpesh luajnë një rol jetik dhe transformues. Ato sjellin ndjeshmëri dhe perspektivë unike, veçanërisht në promovimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe trajtimit njerëzor të çdo individi, cilësi që janë thelbësore brenda mjediseve të sigurisë dhe përtej tyre.”

Ai nënvizoi se përfshirja aktive e grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka ndikuar në forcimin e profesionalizmit, humanizmit dhe efektivitetit të punës institucionale:

“Gratë brenda Shërbimit Korrektues kanë dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm aftësinë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre, por edhe për të ngritur standardet e punës sonë. Përkushtimi i tyre siguron që parimet e drejtësisë të udhëhiqen nga profesionalizmi, humanizmi dhe respekti për të drejtat e çdo personi nën kujdesin tonë.”

Drejtori Dibrani përmendi edhe reformat e ndërmarra në programet rehabilituese dhe arritjet e institucionit në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se fuqizimi i grave ka qenë një ndër faktorët kyç të suksesit:

“Përfshirja e grave në pozita drejtuese ka forcuar ndjeshëm qasjen më humane dhe efektive të sistemit tonë korrektues. Reformat në programet rehabilituese dhe vlerësimet nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë çmimin e ekselencës nga ICPA, dëshmojnë përkushtimin tonë ndaj barazisë gjinore dhe standardeve ndërkombëtare.”

Në përmbyllje të fjalimit, ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e pozitës së grave në të gjitha nivelet institucionale:

“Le ta riafirmojmë përkushtimin tonë për avancimin e pozitës së grave jo vetëm në institucione, por edhe në shoqëri duhet të sigurojmë që zëri i tyre të dëgjohet, të vlerësohet dhe të ketë peshën që meriton në proceset vendimmarrëse.”

Pjesëmarrja e Shërbimit Korrektues të Kosovës në këtë forum nënvizon përkushtimin institucional për të mbështetur barazinë gjinore, për të fuqizuar gratë në sistemin e sigurisë dhe për të ndërtuar një kulturë organizative të bazuar në dinjitet, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë.