Qendra Korrektuese në Dubravë

Ballina » Qendra Korrektuese në Dubravë

Qendra Korrektuese e  Dubravës është qendër e tipit të mbyllur, e cila në kuadër të njësive përbërëse dhe pavijoneve bën pranimin dhe vendosjen e të dënuarve prej 3 muaj deri në 15 vite dënim. Qendra Korrektuese e Dubravës ka një sipërfaqe prej 130 hektarësh, nga kjo sipërfaqe e përgjithshme, 24 hektarë janë të rrethuara me muri të lartë dhe kjo hapësirë është e ndarë me mur në dy pjesë të barabarta në zonën e banueshme ku janë të vendosur të burgosur të dënuar të rritur (meshkuj) dhe zonën bujqësore (industriale) që është zona për zhvillimin bujqësisë dhe përdorime të tjera. Në pjesën e brendshme gjenden 9 (objekte) pavijone, ndërsa në pjesën e jashtme janë Pavijoni Gjysmë i Hapur, ku vendosen të dënuarit e regjimit më të avancuar dhe të gjithë të burgosurit janë të angazhuar në punë, dhe Pavijoni “D” ku vendosen të dënuarit bashkëpunëtorë të drejtësisë, kapaciteti i plotë i kësaj qendre korrektuese është 1175 të burgosur.

Në ketë Qendër ekziston edhe Stacionari (Spitali), ku bëhet përkujdesja dhe trajtimi shëndetësor i të burgosurve nga personeli mjekësor çdo ditë të javës në orarin 24 orësh, në këtë stacionar janë të vendosur të burgosur më sëmundje dhe të burgosur në rehabilitim. Përveç objekteve të banimit në ketë Qendër Korrektuese janë edhe disa objekte të tjera përcjellëse, si: Shkolla, Teatri, punëtoritë, sallat e sportit etj, që shërbejnë për aktivitetet e ndryshme të burgosurve. Qendra Korrektuese në Dubravë qëllimin primarë e ka zbatimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, mbajtjen në mënyrë të sigurt të personave që janë në mbajtje të dënimit dhe trajtimin e tyre në mënyrë humane duke siguruar mjediset dhe mjetet e përshtatshme, në përputhje me personalitetin, arsimimin, gjendjen socio-ekonomike, prirjet dhe aftësitë që ata kanë, ruajtjen e mirëqenies fizike dhe mentale të tyre duke synuar rehabilitimin për ri-integrimin e tyre në jetën familjare, shoqërore – ekonomike pas lirimit, si dhe uljen e recidivizmit duke zhvilluar programe rehabilituese dhe risocializuese për të gjithë të burgosurit pa dallim. Kjo qendër ofron katër lloje të regjimeve për të burgosur: themelor, standard, avancuar dhe gjysmë i hapur, si dhe një varg programesh për rehabilitimin, ri-integrimin dhe risocializimin e të dënuarve.

Në kuadër të programeve të risocializimit dhe riedukimit bën pjesë arsimimi i të dënuarve, në QK Dubravë ekziston Shkolla Fillore dhe Shkolla e Mesme “Rudina” për personat që nuk e kanë mbaruar shkollimin fillorë apo të mesëm, e cila funksionon në bazë të marrëveshjes së MD-së dhe MASHT-it dhe Drejtoratit të Arsimit në Istog, punon si paralele e ndarë e Shkollës së Mesme në Gurrakoc dhe të burgosurit mbarojnë me sukses shkollimin, marrin dëftesat dhe diplomat të cilat nuk dallojnë nga ato që jepen për personat që vijojnë shkollimin në liri. Në QK Dubravë ekzistojnë tri punëtori profesionale, në të cilat punojnë instruktorë të certifikuar dhe të cilët në bazë të marrëveshjes me MPMS-në, janë të autorizuar që të dënuarve që mbarojnë me sukses trajnimet profesionale t`u lëshojnë certifikata të vlefshme edhe jashtë institucionit korrektues. Në këto punëtori kryhen kurse dhe trajnime për zanatet, si: gjellëbërës, kuzhinier, furrtar, axhustator, saldues, hidroinstalues, makineri, elektricist, zdrukthëtar, ndërtimtar, si dhe trajnime në programet kompjuterike Word/Excel dhe kontabilitet etj. Në QK Dubravë, ekziston salla e sportit dhe dy fusha sportive në të cilat zhvillohen aktivitetet sportive ditore, e po ashtu shpesh organizohen edhe turnir futbolli dhe lojërave tjera në mes të dënuarve, por edhe me pjesëtarë nga shoqëria civile, kjo bëhet me qëllimin që personat e dënuar të mos ndihen të anashkaluar apo margjinalizuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

QK Dubravës, po ashtu disponon bibliotekën dhe sallën e leximit, e cila është për përdorim nga të gjithë të burgosurit, organizohet dhe mbikëqyret nga personeli përgjegjës, i cili kujdeset për mirëmbajtjen dhe pasurimin e saj, shpërndarjen e literaturës dhe përhapjen e dijes dhe të kulturës. Gjithashtu, ekziston objekti i Teatrit ku organizohen shfaqje kulturore–argëtuese dhe shfaqje teatrale. Një pjesë e të burgosurve janë të angazhuar me punë dhe mirëmbajtjen e ambienteve të institucionit, si: kuzhinë, furrë, blegtori, bujqësi, lavanderi, kopshtari, rrobaqepës, automekanik etj. Gjithashtu, qendra  posedon dy ferma për blegtori me kapacitet deri në 100 krerë gjedhe, të  cilat mirëmbahen nga të burgosurit e punësuar. Të burgosurve u lejohet komunikimi me familjet e tyre, në varësi të nevojave të trajtimit, sigurisë dhe rendit, me persona ose përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe të presin vizita nga këta persona sipas nivelit të regjimeve të arritur me sjelljet e tyre, po ashtu korrespodenca me familjen, informimi përmes radios, televizionit apo shtypit ditorë, pranimi i vizitave duke përfshirë vizitat nga rrethi i gjerë i personave, pranimin e vizitave në lokale të veçanta me bashkëshorten dhe fëmijët pa përcjellje, pushimin jashtë institucionit korrektues dhe pushimin e jashtëzakonshëm.

Vizitat  Familjare/ Avokatëve etj.

Vizitat në Qendrën Korrektuese në Dubravë,  si edhe në të gjitha institucionet  tjera të  SHKK-së aplikohen në bazë të ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Vizitat për të dënuar zhvillohen çdo ditë të javës prej orës 08-16 (lajmërimi i vizitës së fundit duhet të bëhet para orës 15) për të paraburgosur vetëm të martën dhe të premten koha e njëjtë, në vizitë lejohen 4 persona të rritur si dhe fëmijët. Ky institucion ofron edhe mundësinë e ekstra vizitës, të cilën mund të kërkojë secili i dënuar, në rastet kur ka: rast vdekje, sëmurje apo lëndimi të rëndë në familje, kur familjarët vijnë nga shtetet tjera dhe vizitat e rregullta i ka të kryera, në ndonjë përvjetor apo ngjarje tjetër të veçantë e që janë në pajtim me ligjin dhe rregulloret e aplikueshme.

Adresa: Rruga Istog – Rakosh kilometri i gjashtë, ana e majtë
Kontakti: 039/451-873 & 044/308- 627