Dibrani prezanton arritjet e SHKK-së në takimet zyrtare në Francë

Ballina » Dibrani prezanton arritjet ...

27.11.2025

Me ftesë të Ambasadës Franceze, delegacionet e shërbimeve korrektuese të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequra nga drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, dhe drejtori i Shërbimeve Korrektuese të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Pandov, qëndruan në Lyon, ku u pritën nga Paul Louchouarn, Drejtor Rajonal i Shërbimeve Ndërajonale në Rajonin e Lyonit, dhe Denise Drillien, Shefe e Misionit kundër Radikalizimit të Dhunshëm, së bashku me përfaqësues të sistemit korrektues dhe policor francez.
Takimet u përqendruan në trajtimin e temave që lidhen me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, si dhe në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave profesionale në menaxhimin e sigurisë dhe rasteve me rrezikshmëri të lartë.
Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, prezantoi arritjet dhe zhvillimet kryesore të institucionit. Ai foli për modernizimin e infrastrukturës, avancimin e programeve rehabilituese dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale. Dibrani paraqiti edhe qasjet dhe rezultatet e Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe menaxhimin e çështjeve të terrorizmit brenda sistemit korrektues.
Gjatë qëndrimit në Francë, delegacioni vizitoi disa institucione korrektuese, ku u njoh nga afër me praktikat e tyre dhe modelin francez të menaxhimit e institucioneve korrektuese.
Kjo vizitë po shërben si një platformë e dobishme për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ngritjen e standardeve të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe rehabilitimit.