30.09.2025
Për herë të parë, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hartuar dhe miratuar Rregulloren e Re të Brendshme për Transferimin e Personave të Burgosur ndërmjet institucioneve korrektuese, e cila sot u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Ismail Dibrani. Ky dokument shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve të brendshme dhe forcimit të transparencës institucionale brenda sistemit korrektues.
Kjo rregullore, e hartuar për herë të parë në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, vjen si nevojë për të rregulluar dhe unifikuar procesin e transferimit të të burgosurve, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me kritere ligjore, profesionale dhe humane. Ajo përcakton në mënyrë të qartë procedurat, kriteret dhe përgjegjësitë e të gjitha niveleve menaxhuese gjatë procesit të vlerësimit dhe vendimmarrjes për transferim.
Rregullorja synon të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë të burgosurit, të lehtësojë riintegrimin e tyre në shoqëri, të përmirësojë kushtet e sigurisë, si dhe të mbështesë funksionimin efikas të institucioneve korrektuese në mbarë vendin.
Rregullorja e re, e cila hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, do të zbatohet në të gjitha institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës. Ajo pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të administratës korrektuese, forcimin e standardëve profesionale dhe avancimin e praktikave bashkëkohore të trajtimit dhe rehabilitimit të personave të privuar nga liria.
