Drejtori Dibrani: Rehabilitimi i të dënuarve, prioritet i Shërbimit Korrektues të Kosovës

Ballina » Drejtori Dibrani: Rehabilit...

22.07.2025

Sot, në Qendrën Korrektuese të Dubravës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, së bashku me Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, pritën në takim Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, znj. Mary Ann Hennessey.
Në këtë vizitë, z. Dibrani theksoi rëndësinë që Shërbimi Korrektues i Kosovës i kushton trajtimit dhe rehabilitimit të të dënuarve, duke theksuar se programet si ky mbi Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave janë thelbësore për parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe për rikthimin e të dënuarve në shoqëri me sjellje të përgjegjshme.
Gjatë takimit me stafin dhe të dënuarit pjesëmarrës në program, z. Dibrani theksoi angazhimin e SHKK-së në zbatimin e qasjes rehabilituese, duke ofruar mbështetje profesionale përmes trajtimeve psiko-edukative dhe programeve të veçanta që ndikojnë drejtpërdrejt në ndryshimin e sjelljeve.
Dhjetë persona të dënuar për dhunë në familje kanë përfunduar me sukses fazën e dytë të Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave, një program gjashtëmujor që përfshin ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme, menaxhimin e emocioneve dhe vetëdijesimin për pasojat e dhunës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, mbetet i përkushtuar për të avancuar rolin e tij në trajtimin dhe rehabilitimin e të dënuarve, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë.