13.02.2025
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Organizatës Joqeveritare “Monumenta”, znj. Doruntina Ukimeri, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Ky memorandum ka për qëllim përfshirjen e të burgosurve në aktivitete artistike, me fokus të veçantë te gratë e dënuara. Përmes projektit “Art nga Burgu”, do të krijohen dhjetë vepra artistike nga të dënuarat, duke iu ofruar atyre një mundësi për t’u angazhuar në krijimtari dhe vetëpërmirësim.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij projekti është mundësia që të dënuarat të shesin veprat e tyre artistike gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Kjo jo vetëm që do t’iu mundësojë një mbështetje financiare, por edhe do t’i ndihmojë në lehtësimin e integrimit në shoqëri pas lirimit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe OJQ “Monumenta” synojnë që përmes këtij bashkëpunimi të promovojnë rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve në shoqëri përmes artit dhe kreativitetit.