30.11.2024
Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka shënuar 25-vjetorin e themelimit të tij. Në këtë ceremoni morren pjesë figura të rëndësishme nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, z. Ismail Dibrani, vlerësoi arritjet e institucionit dhe përkushtimin për zhvillimin e sistemit korrektues.
Ai theksoi:
“Sot është një ditë e veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, pasi shënojmë 25-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm për drejtësinë dhe sigurinë e vendit tonë. Kjo ngjarje është një moment për të reflektuar mbi arritjet tona dhe për të vlerësuar përpjekjet e jashtëzakonshme të të gjithë atyre që kanë kontribuar në forcimin e këtij shërbimi, i cili sot është një model suksesi jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Në këto vite kemi kaluar sfida të shumta, por kemi arritur zhvillime të rëndësishme falë përkushtimit të stafit dhe mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Ambasada Amerikane, EULEX-i, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe shumë organizata të tjera. Mbështetja e tyre ka qenë jetike për modernizimin dhe përputhjen e sistemit korrektues me standardet ndërkombëtare.”
Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të SHKK-së dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të reformave:
“Në këto 25 vite kemi punuar për të fuqizuar Shërbimin Korrektues të Kosovës duke vendosur standarde më të larta dhe përmirësuar kushtet e punës. Mbështetja financiare ka qenë prioritet. Nga një buxhet për investime kapitale prej vetëm 1 milion eurosh në vitin 2023, për vitin 2024 kjo shumë është rritur në 8 milionë euro, ndërsa për vitin 2025 kemi planifikuar një rritje në 15 milionë euro. Kjo është dëshmi e përkushtimit tonë për ta bërë këtë institucion një shtyllë të drejtësisë dhe sigurisë kombëtare.” Ministrja falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Shefi i Misionit të EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, e cilësoi SHKK-në si një partner të besueshëm dhe përgëzoi progresin e saj:
“EULEX-i është i përkushtuar të mbështesë Shërbimin Korrektues të Kosovës në zhvillimin e tij si një institucion që plotëson standardet evropiane dhe shërben si model për rajonin. Ky përvjetor është një moment për të reflektuar mbi të arriturat dhe për të thelluar partneritetin tonë për të ndërtuar një sistem drejtësie të qëndrueshëm dhe efikas.”
Znj. Tamra Greig, Drejtoresha e INL-së në Ambasadën Amerikane, ritheksoi mbështetjen e SHBA-ve për institucionet e drejtësisë në Kosovë, duke përgëzuar drejtimin profesional të z. Ismail Dibrani:
“Falë lidershipit të tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës është shndërruar në një model suksesi në rajon. Standardet e vendosura nga ky institucion frymëzojnë sisteme të tjera korrektuese në rajon për të ndjekur shembullin e Kosovës.”
Gjatë ceremonisë, u prezantua një film i shkurtër me titull “Një ditë në jetën e një të burgosure”, i cili solli një perspektivë mbi përditshmërinë në Qendrën Korrektuese për Gra në Lipjan.
Në përfundim të aktivitetit, partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë iu ndanë mirënjohje për bashkëpunimin e tyre, ndërsa zyrtarët korrektues u nderuan për përkushtimin e tyre në shërbim.