15.11.2024
Pas një periudhe gjashtëmujore të zbatimit, është mbyllur me sukses “Programi Y” në Dubravë, një iniciativë e fokusuar në parandalimin e dhunës përmes ndërgjegjësimit dhe rehabilitimit të të burgosurve që kanë kryer akte dhune në familje. Programi u realizua në bashkëpunim me OJQ “SIT” dhe mbështetjen financiare nga UNFPA Kosova.
Në kuadër të këtij programi, 15 të burgosur përfunduan me sukses trajnimet dhe u certifikuan pas pjesëmarrjes në 12 seanca kyçe, të fokusuara në ndërgjegjësimin, ndryshimin e besimeve dhe vlerave, si dhe rindërtimin e sjelljeve paqësore dhe jo të dhunshme. Gjatë seancave, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi temat si: rëndësia e reflektimit mbi sjelljet e dhunshme, përballja me krizat, teknikat e komunikimit jo të dhunshëm dhe ndërgjegjësimi për pasojat e dhunës.
Ceremonia e certifikimit, e mbajtur sot, vlerësoi përkushtimin dhe përparimin e këtyre individëve, duke dhënë shpresë për një rrugëtim të suksesshëm rehabilitimi dhe reintegrimi të tyre në shoqëri.