40 të mitur certifikohen në Qendrat Korrektuese dhe Edukuese në Lipjan

Ballina » 40 të mitur certifikohen në...

25.03.2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, kanë vizituar Qendrën Korrektuese për të Mitur dhe Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan. Gjatë kësaj vizite janë ndarë certifikata për 40 të mitur që kanë përfunduar me sukses trajnimet e realizuara në këto institucione.
Në Qendrën Korrektuese për të Mitur, Ministrja Gërvalla vizitoi kabinetin e informatikës, ku u prezantua puna në fushën e robotikës. Ky aktivitet tregoi përfshirjen e të miturve në programe moderne dhe zhvillimore, me fokus në avancimin e shkathtësive teknologjike.
Po ashtu, gjatë këtij aktiviteti u prezantua puna e realizuar në kuadër të trajnimeve nga trajnerja Dea Basholli nga OJQ Bonevet, ndërsa pjesëmarrësve iu ndanë certifikatat për përfundimin me sukses të programeve.
Vizita vazhdoi në Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur, ku u prezantua puna dhe funksionimi i institucionit, si dhe u vizituan hapësirat dhe kabinetet e kësaj qendre. Në këtë kuadër u realizua edhe një demonstrim i trajnimit të ndihmës së parë nga instruktori Bastri Rexhepi, së bashku me të miturit. Gjithashtu, u prezantua edhe programi TOP-s nga trajnerja Flaka Ymeri.
Në fund, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të SHKK-së, shpërndanë në mënyrë simbolike certifikatat, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e të miturve në këto programe rehabilituese dhe edukative.