10.03.2026
Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe Zëvendësministrin Genc Nimoni, takuan drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Takimin e hapi drejtori Dibrani, i cili theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave drejtuese, me qëllim forcimin e sigurisë dhe përmirësimin e funksionimit të sistemit korrektues.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, znj. Gërvalla-Schwarz, vlerësoi punën dhe angazhimin e zyrtarëve korrektues, duke theksuar se siguria në institucionet korrektuese dhe trajtimi i të burgosurve sipas standardeve ligjore dhe profesionale mbetet prioritet i institucioneve të drejtësisë.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e sigurisë në institucionet korrektuese, parandalimin e kontrabandës dhe forcimin e masave të kontrollit. Po ashtu, u trajtua zbatimi i programeve risocializuese dhe roli i tyre në rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve.
Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi ndërinstitucional si faktor i rëndësishëm për parandalimin e dukurive të paligjshme dhe për funksionimin më efikas të sistemit korrektues.
Drejtori Dibrani vlerësoi angazhimin e drejtuesve të institucioneve dhe kërkoi koordinim të vazhdueshëm, me qëllim rritjen e sigurisë dhe garantimin e rendit në institucionet korrektuese.
Pas takimit, delegacioni vizitoi pavijonin e të burgosurave, ku u zhvilluan biseda me të dënuarat dhe u panë nga afër ambientet e punës, përfshirë kabinetin e IT-së, rrobaqepësinë dhe bibliotekën.
Gjatë vizitës u prezantuan edhe punime artizanale të realizuara nga të dënuarat, përfshirë filigran në argjend dhe filigran në letër.
Në fund të vizitës, znj. Gërvalla-Schwarz ndoqi edhe një lojë tenisi të zhvilluar nga të dënuarat. Pas përfundimit të ndeshjes finale, së bashku me drejtorin Dibrani, ajo i dorëzoi kupën fitueses së lojës.

