100 kadetë të rinj i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës, nisin rrugën drejt shërbimit në institucionet e drejtësisë

Ballina » 100 kadetë të rinj i bashko...

10.03.2026

Njëqind kadetë të rinj korrektues i janë bashkuar Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke shënuar fillimin e shërbimit për gjeneratën e 46-të të këtij institucioni.

Në  këtë ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni.

Drejtori Dibrani u shpreh se nënshkrimi i kontratave shënon hyrjen e kadetëve në një profesion që kërkon përkushtim, disiplinë dhe integritet të lartë. “Puna në sistemin korrektues nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një përgjegjësi e madhe ndaj ligjit, sigurisë publike dhe trajtimit të drejtë e dinjitoz të personave që ndodhen në institucionet korrektuese”, tha Dibrani.

Ministrja Gërvalla e cilësoi Shërbimin Korrektues të Kosovës si një nga hallkat thelbësore të sistemit të drejtësisë. Ajo theksoi se profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që personat e privuar nga liria të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm.

“Që nga sot këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë. Ata do të jenë në vijën e parë të garantimit të sigurisë në institucionet korrektuese dhe të zbatimit të ligjit”, deklaroi ajo.

Tutje, Gërvalla bëri të ditur se në muajt në vijim kadetët do të ndjekin një trajnim profesional gjashtëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Ky trajnim do t’i pajisë ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të përditshme të profesionit dhe për përgjegjësinë që mbart shërbimi në institucionet korrektuese.

Ajo shtoi se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në këtë fushë, çka reflektohet edhe në raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë trajtimin e personave të privuar nga liria.

Pas përfundimit të trajnimit, zyrtarët korrektues pritet të angazhohen në disa prej institucioneve korrektuese të vendit, përfshirë Burgun e Sigurisë së Lartë, Qendrën e Paraburgimit në Gjilan dhe Qendrën Korrektuese të Dubravës.