Drejtori Dibrani takon drejtuesit e institucioneve korrektuese

Ballina » Drejtori Dibrani takon drej...

21.01.2026

Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka takuar drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve.

Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e sigurisë në institucionet korrektuese, me fokus të veçantë në parandalimin e kontrabandës dhe forcimin e masave të kontrollit. U theksua nevoja për vigjilencë të shtuar, koordinim të brendshëm dhe zbatim të rreptë të procedurave të sigurisë.

Po ashtu, u trajtua zbatimi i programeve risocializuese dhe roli i tyre në rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve, si dhe trajtimi i tyre në përgjithësi në përputhje me standardet ligjore dhe profesionale.

Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi ndërinstitucional, si faktor i rëndësishëm për parandalimin e dukurive të paligjshme dhe për funksionimin më efikas të sistemit korrektues.

Drejtori Dibrani vlerësoi angazhimin e drejtuesve dhe kërkoi koordinim të vazhdueshëm, me qëllim rritjen e sigurisë dhe garantimin e rendit në institucionet korrektuese.