16.01.2026
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe UNICEF po vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin në mbështetje të të miturve në konflikt me ligjin.
Në këtë kuadër, Drejtoresha për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, znj. Trëndelina Qorraj, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të UNICEF-it në Kosovë, z. Dren Rexha, specialist i politikave sociale, dhe znj. Feride Dashi, zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve.
Gjatë takimit u diskutua për çështjet që lidhen me trajtimin e të miturve, me fokus të veçantë ata që janë të vendosur në Qendrën Edukuese-Korrektuese në Lipjan. Vëmendja ishte te forcimi i masave edukuese dhe avancimi i drejtësisë për të mitur, në përputhje me standardet ndërkombëtare, me synim parandalimin e përsëritjes së veprave penale dhe riintegrimin e tyre të suksesshëm në shoqëri.
Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi të hapur dhe konstruktiv. Përfaqësuesit e UNICEF-it shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen teknike, duke u bazuar në përvojën e tyre të gjatë në këtë fushë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës vlerësoi lart kontributin e UNICEF-it si partner i rëndësishëm në reformimin e drejtësisë për të mitur ndër vite, veçanërisht në zhvillimin dhe zbatimin e praktikave më të mira institucionale.
Të dyja palët u pajtuan që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tej, duke mbetur të hapura për iniciativa të reja që synojnë përmirësimin e trajtimit, rehabilitimit dhe mirëqenies së të miturve në institucionet korrektuese.
