14.11.2025
Me ftesë të Këshillit të Evropës, Shërbimi Korrektues i Kosovës mori pjesë në takimin shumëpalësh me temën “Forcimi i Politikave dhe Praktikave të Ndjeshme ndaj Gjinisë në Burgjet e Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës”, i cili u mbajt në Strasburg më 12 dhe 13 nëntor 2025.
Shërbimi Korrektues i Kosovës u përfaqësua nga drejtoresha e Departamentit për Trajtim të Burgosurve dhe të Miturve, znj. Trëndelina Qorraj, e cila prezantoi punimin me titull: “Riintegrimi i Ndjeshëm ndaj Gjinisë: Praktikat më të Mira të Shërbimit Korrektues të Kosovës për Gratë në Burgje”.
Në prezantimin e saj, znj. Qorraj paraqiti qasjet dhe praktikat që Shërbimi Korrektues i Kosovës zbaton për trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e grave të dënuara, si dhe aktivitetet që zhvillohen në Qendrën Korrektuese për Femra. Ajo theksoi rëndësinë e programeve të personalizuara, mbështetjes psikosociale, edukimit, trajnimeve profesionale dhe iniciativave të tjera që kontribuojnë në fuqizimin e grave të burgosura dhe përgatitjen e tyre për riintegrim të suksesshëm në shoqëri.
Pjesëmarrja në këtë takim shumëpalësh ofroi mundësi të rëndësishme për shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira me shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të standardeve dhe politikave të ndjeshme ndaj gjinisë brenda institucioneve korrektuese në Kosovë.
