Shërbimi Korrektues i Kosovës pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar të Shefave të Shërbimeve në Turqi

Ballina » Shërbimi Korrektues i Kosov...

27.10.2025

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, bashkë me UD. Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Siguri dhe Operativë, z. Besar Gashi, po marrin pjesë në Forumin e Shefave të Shërbimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Burgjeve dhe Shërbimeve Korrektuese (ICPA), që po mbahet në Turqi, në kuadër të Konferencës së 27-të Vjetore të kësaj organizate.

Në kuadër të këtij forumi, z. Dibrani ka takuar presidentin e ICPA-së, z. Davide Brown, të cilin e ka njoftuar për të arriturat, sukseset dhe zhvillimet e fundit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe për përkushtimin e institucionit në zbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën korrektuese.

Po ashtu, drejtori Dibrani ka zhvilluar takime me drejtorët e shërbimeve korrektuese të vendeve pjesëmarrëse si Turqia, Japonia, Franca, Belgjika, Polonia, Zelanda e Re, Irlanda e Veriut dhe të tjera, ku është diskutuar për praktikat më të mira dhe mundësitë e bashkëpunimit profesional ndërinstitucional.

Në këtë ngjarje po marrin pjesë mbi 60 drejtues të shërbimeve korrektuese, të cilët po diskutojnë mbi qëndrueshmërinë e stafit, reformën e sistemit dhe mirëqenien në institucionet korrektuese.

Pjesëmarrja e Shërbimit Korrektues të Kosovës në këtë forum ndërkombëtar nënvizon përkushtimin e institucionit për të ndjekur praktikat më të mira globale, për të forcuar kapacitetet profesionale dhe për të avancuar standardet e punës brenda institucioneve korrektuese të vendit.

Konferenca e ICPA-së do të vazhdojë gjatë gjithë javës me sesione të fokusuara në inovacionet dhe qasjet moderne të menaxhimit korrektues.