Kosova për herë të parë në Konferencën Vjetore të EuroPris-it – SHKK prezanton arritjet dhe sfidat

Ballina » Kosova për herë të parë në ...

24.09.2025

 
 Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, së bashku me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm, z. Ridvan Hoti, po marrin pjesë në konferencën vjetore të drejtorëve të burgjeve, të organizuar nga EuroPris, e cila këtë vit po mbahet në Krakov të Polonisë.
 
Kjo konferencë, e cila mbledh çdo vit drejtuesit më të lartë të institucioneve korrektuese nga vendet anëtare të EuroPris-it, shënon një moment historik për Kosovën, pasi për herë të parë po përfaqësohet si vend i barabartë dhe si anëtari më i ri i kësaj organizate evropiane.
 
Në kuadër të agjendës zyrtare, delegacioni nga Kosova zhvilloi një takim të veçantë me presidenten e EuroPris-it, znj. Caron McCaffrey, ku u diskutua për përparimet e bëra në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ngritjen e kapaciteteve profesionale si dhe përkushtimin për të respektuar standardet evropiane në fushën e menaxhimit të burgjeve.
 
Po ashtu, drejtuesit e SHKK-së patën takime të ndara me homologë nga disa shtete evropiane, ku u shkëmbyen përvoja lidhur me sfidat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e institucioneve korrektuese, rehabilitimin e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë. Këto takime u vlerësuan si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e Kosovës në rrjetin profesional të vendeve evropiane.

 
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin e institucioneve të saj drejt avancimit të mëtejmë dhe njëkohësisht konfirmon se Shërbimi Korrektues i Kosovës po fiton gjithnjë e më shumë besim dhe respekt në nivel ndërkombëtar.