Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, dhe Drejtori i Organizatës “Terre des Hommes Lausanne” në Kosovë, z. Pajtim Zeqiri, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të forcimit të partneritetit dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të miturve në konflikt me ligjin.
Ky Memorandum synon formalizimin e bashkëpunimit për zhvillimin e aktiviteteve edukative, psikologjike dhe sociale për të miturit në institucionet korrektuese, si dhe për hartimin dhe zbatimin e moduleve të trajnimit për stafin profesional në fushat e drejtësisë për të mitur, mbrojtjes së fëmijëve, migrimit dhe luftës kundër trafikimit.
Gjithashtu, ky bashkëpunim do të përfshijë krijimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe përfshirjes së të miturve në vendimmarrje që ndikojnë në mirëqenien e tyre.
Shërbimi Korrektues i Kosovës vlerëson rëndësinë e këtij bashkëpunimi, i cili do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e trajtimit dhe mbrojtjes së të miturve, duke u mbështetur në parimet e respektit të ndërsjellë, transparencës dhe bashkëpunimit profesional. Ky Memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave dhe mirëqenies së të miturve në institucionet korrektuese të vendit.