Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës njofton studentët për avancimin dhe arritjet në drejtësinë për të mitur

Ballina » Drejtori i Shërbimit Korrek...

09.07.2025

Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, mori pjesë në Akademinë Verore të Fakultetit Juridik të UBT-së, ku njoftoi studentët për zhvillimet dhe arritjet e rëndësishme të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ai theksoi rolin kyç të SHKK-së në trajtimin e veçantë dhe rehabilitimin e të miturve në konflikt me ligjin, duke prezantuar avancimet ligjore dhe praktike që janë arritur në Kosovë.
Drejtori Dibrani foli për Qendrën Korrektuese dhe Edukuese për të Mitur në Lipjan, institucionin e vetëm në vend që ofron edukim parauniversitar, aftësim profesional dhe programe sociale për të miturit, duke u fokusuar në risocializim dhe integrim.
Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e programeve mbështetëse, bashkëpunimit me familjet dhe komunitetin, si dhe përfshirjen aktive të të miturve në vendimmarrje.
Në përmbyllje, z. Dibrani shprehu besimin se çdo fëmijë, pavarësisht sfidave të kaluara, meriton një shans të ri për t’u ngritur dhe për t’u rritur në një shoqëri më të drejtë dhe më humane.
Me përkushtimin dhe angazhimin e Shërbimit Korrektues, ky shans bëhet realitet, kështu duke ndezur dritën e shpresës në zemrat e të miturve dhe duke u hapur rrugë për një të ardhme më të ndritur.