Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së merr pjesë në punëtorinë për trajtimin e grupeve të margjinalizuara

Ballina » Drejtori i Përgjithshëm i S...

26.06.2025

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, sot mori pjesë në punëtorinë me temën “Trajtimi dhe mbrojtja e grupeve të margjinalizuara gjatë privimit të lirisë”, e organizuar nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), e cila u mbajt në Prishtinë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe z. Arsim Tahiri – Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, z. Christian Böttcher – përfaqësues i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, si dhe znj. Veronica Eck – Menaxhere e Projektit nga IRZ.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte të rritej ndërgjegjësimi për nevojat e veçanta të mbrojtjes të grupeve të cenueshme – veçanërisht të varurve nga substancat narkotike dhe personave me çrregullime e sëmundje mendore – brenda sistemit të burgjeve. Fokusi qëndroi në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe në qasjen e barabartë në mekanizma efektivë të mbrojtjes ligjore.
Punëtoria shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e përvojave ndërmjet ekspertëve të sistemit të drejtësisë, me qëllim identifikimin e mënyrave praktike për përmirësimin e bashkërendimit të masave mbështetëse dhe harmonizimin e normave ekzistuese për trajtimin e të burgosurve që kërkojnë mbrojtje të veçantë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës falënderon IRZ-në për organizimin e kësaj punëtorie të rëndësishme dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në ngritjen e standardeve humane dhe profesionale brenda sistemit korrektues të Kosovës.