Sot, në ambientet e brendshme të Qendrës Korrektuese të Dubravës, të burgosurit kanë zhvilluar aktivitete pune, duke kositur dhe grumbulluar barin në hapësirat gjelbëruese të institucionit.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të përditshme, që kanë për qëllim aftësimin profesional, punësimin dhe rehabilitimin e të burgosurve, përmes përfshirjes së tyre në punë bujqësore.
Bari i grumbulluar do të përdoret për ushqimin e lopëve që mbahen në stallën e Qendrës Korrektuese, duke kontribuar kështu edhe në vetëqëndrueshmërinë e fermës së brendshme.
Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të promovojë aktivitete që synojnë riedukimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, duke krijuar kushte për angazhime të dobishme dhe produktive brenda sistemit korrektues.