Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti studentët belgë në një takim mirëseardhjeje

Ballina » Drejtori i Përgjithshëm i S...

28.04.2025

Sot në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm, z. Ismail Dibrani, priti në një takim mirëseardhjeje një grup studentësh nga Belgjika, të cilët ndodhen në Kosovë përmes një programi bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës.
Gjatë takimit, studentët dhe profesorët udhëheqës u informuan nga afër për organizimin, funksionimin dhe sfidat me të cilat përballet Shërbimi Korrektues i Kosovës. Profesorët shprehën falënderimet e tyre për mikpritjen dhe për mbështetjen e ofruar ndaj studentëve gjatë këtij programi praktik.
Studentët do të fillojnë praktikën e tyre më 29 Prill 2025 në Qendrën Korrektuese të Lipjanit (QKL) dhe në Qendrën Edukuese të Korrektimit të Lipjanit (QEKL), ku në ditën e parë do të shoqërohen nga profesorët e tyre.
Ky program bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore të Belgjikës dhe Universitetit të Prishtinës, me mbështetjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përfaqëson një hap të rëndësishëm në nxitjen e shkëmbimeve ndërkombëtare dhe në zhvillimin profesional të studentëve në fushën e drejtësisë penale dhe korrektimit.