Diskutim mbi zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Danimarkë për Qendrën e Paraburgimit në Gjilan

Ballina » Diskutim mbi zbatimin e mar...

18.03.2025

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, kanë takuar Ministrin danez të Drejtësisë, z. Peter Hummelgaard dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit Sprovues të Danimarkës, znj. Ina Eliasen.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan. Në fokus të bisedimeve ishte organizimi dhe funksionimi i kësaj qendre, përfshirë angazhimin e stafit korrektues dhe administrativ.
Përfaqësuesit e të dyja vendeve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë dhe korrektimit, duke shprehur gatishmërinë për të zgjeruar këtë partneritet edhe në fusha të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni nga Kosova vizitoi gjithashtu Burgun e Sigurisë së Lartë të Storstrøm, ku u njohën nga afër me standardet dhe praktikat e menaxhimit të institucioneve korrektuese në Danimarkë.