Sot, me rastin e diplomimit të gjeneratës së 45-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, u mbajt një ceremoni solemne, nikoqir i së cilës ishte Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, nikoqiri i takimit, z. Dibrani, uroi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit, duke vlerësuar përkushtimin dhe disiplinën e treguar gjatë gjithë procesit. Ai theksoi rëndësinë e rolit të tyre në përforcimin e sigurisë dhe rehabilitimit brenda institucioneve korrektuese.
“Diplomimi juaj nuk është vetëm një arritje personale, por një fitore edhe për ata që ju kanë qëndruar pranë. Në këtë udhëtim keni marrë dije dhe vlera që do t’ju udhëheqin në një mision fisnik dhe me përgjegjësi të lartë. Zyrtari korrektues nuk është thjesht zbatues i rregullave, por një faktor i rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe socializimit të personave të privuar nga liria. Ju do të luani një rol kyç në forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Numri i rasteve të parandalimit të kontrabandës është rritur ndjeshëm, programet rehabilituese janë zgjeruar dhe siguria brenda institucioneve korrektuese është përmirësuar”, tha z. Dibrani.
Kryeministri Kurti përgëzoi kadetët për arritjet e tyre dhe nënvizoi rolin kyç të Shërbimit Korrektues në garantimin e sigurisë dhe respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria.
“Përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimin e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues. Kemi investuar në infrastrukturë, kemi punësuar njësi të specializuara dhe kemi zgjeruar programet rehabilituese për të burgosurit”, tha Kurti.
Ndërkaq, Ministrja Haxhiu ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për mbështetjen e Shërbimit Korrektues në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“Me hapat që kemi ndërmarrë si qeveri, është shtuar numri i grave të punësuara në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky institucion nuk është thjesht një hallkë në zinxhirin e drejtësisë, por një mekanizëm vendimtar për sigurinë publike, rehabilitimin e të dënuarve dhe garantimin e një sistemi korrektues që mbështetet në ligj, profesionalizëm dhe dinjitet njerëzor”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesja e kësaj gjenerate, Filloreta Osmani Ademi tha: “Nuk është vetëm një titull apo një vend pune, por një mision i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë qytetarët tanë. Puna jonë si zyrtarë korrektues shkon përtej aspektit të sigurisë dhe disiplinës në institucionet korrektuese. Ne kemi një rol kyç në procesin e rehabilitimit dhe ri integrimit të personave të privuar nga liria. Kjo është një përgjegjësi që kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe ndjeshmëri, etike dhe vendosmëri për të trajtuar çdo individ me dinjitet dhe respekt. Kemi kuptuar se të qenit zyrtar korrektues nuk do të thotë vetëm të zbatojmë ligjin, por edhe të kontribuojmë në transformimin e sistemit korrektues në një mekanizëm që ndihmon për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë”.
Gjenerata e 45-të përbëhet nga 113 kadetë, të cilët pas një trajnimi intensiv janë të përgatitur për t’u angazhuar në institucionet korrektuese në mbarë vendin.