Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani Rama, së bashku me gjyqtarët e Departamentit për të Mitur, ka vizituar Qendrën Korrektuese dhe Edukuese për të Mitur në Lipjan. Ata u pritën nga ushtruesi i detyrës së Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Siguri, z. Besar Gashi, Drejtori i Departamentit Ligjor, z. Demiri, dhe Drejtoresha e Institucionit, znj. Ardita Blakaj, me ekipin e saj profesional.
Gjatë vizitës, znj. Blakaj e informoi Kryetaren mbi kapacitetet e institucionit, kushtet dhe aktivitetet që zhvillohen aty. Ajo theksoi përpjekjet maksimale që po bëhen për riedukimin dhe risocializimin e të miturve, përmes angazhimit në procesin mësimor, programe rehabilituese dhe trajnime profesionale.
Nga ana tjetër, z. Gashi informoi të pranishmit për sfidat me të cilat përballet Shërbimi Korrektues, duke vënë theksin te vështirësitë në menaxhimin e të burgosurve me probleme të shëndetit mendor, si dhe iniciativat për zgjerimin e kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.
Kryetarja Shabani Rama falënderoi për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve që kontribuojnë në risocializimin e të miturve. Gjatë takimit u diskutuan edhe raste individuale të të miturve të vendosur në këtë institucion, ku zyrtarja për punë sociale, znj. Flaka Ymeri, ofroi informacione të detajuara mbi situatën e tyre.
Në kuadër të vizitës, delegacioni vizitoi të miturit e paraburgosur, ku pati mundësinë të shohë nga afër kushtet dhe të bisedojë me ta. Të miturit vlerësuan sjelljen korrekte të stafit dhe kushtet e ofruara, duke mos shprehur ndonjë ankesë.
Për të mbikëqyrur ekzekutimin e masave edukuese dhe korrektuese, Kryetarja dhe gjyqtarët vizituan edhe Institucionin Edukues Korrektues. Aty zhvilluan diskutime me të miturit, të cilët i informuan për aktivitetet që iu ofrohen, aftësimet profesionale dhe angazhimet e tyre në programe të ndryshme.
Në fund të vizitës, ekipi vizitoi punëtoritë dhe ambientet ku zhvillohen aftësimet profesionale, duke vlerësuar se institucioni ka kushte të përshtatshme për edukimin dhe risocializimin e të miturve.