13.02.2025
Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi i Burgjeve dhe ai Sprovues Danez kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për përdorimin e institucionit korrektues në Gjilan. Kjo shënon një tjetër moment kyç për projektin e pranimit në Kosovë të të huajve të dënuar në Danimarkë.
Me Marrëveshjen e sapo nënshkruar, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi i Burgjeve dhe ai Sprovues Danez kanë arritur një mirëkuptim mbi një sërë aspektesh që lidhen me zbatimin praktik të detyrave specifike administrative për burgun në Gjilan.
Marrëveshja e Bashkëpunimit fokusohet kryesisht në mënyrën se si duhet të menaxhohen operimet e përditshme, duke përbërë kështu një hap kyç drejt vënies në funksion të burgut.
Palët kanë rënë dakord për disa aspekte të operimit të burgut për të siguruar që kushtet të jenë në përputhje të plotë me ato të burgjeve daneze. Kjo përfshin përcaktimin e numrit të zyrtarëve të burgut, specifikimin e kërkesave për infrastrukturën fizike të burgut, rregulloret për transferimin dhe transportin e të burgosurve, si dhe aktivitetet, të drejtat dhe detyrimet e tyre.
Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi:
– “Sot, konfirmojmë arritjen e Marrëveshjes Teknike, e cila derivon nga ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për dhënien me qira të hapësirave të institucionit korrektues në Gjilan.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të suksesshëm të këtij Traktati dhe dëshmi e angazhimit të të dyja vendeve për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efikas në fushën e drejtësisë.
Me këtë, Republika e Kosovës jo vetëm që thellon partneritetin me Mbretërinë e Danimarkës, por gjithashtu përfiton nga investimet dhe standardet e avancuara të sistemit korrektues danez, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të institucioneve tona korrektuese.”
Ministri Danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, deklaroi:
– “Është vërtet kënaqësi që marrëveshja e bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve tani është nënshkruar. Për mua, kjo shënon një tjetër moment të rëndësishëm në rrugën drejt mundësisë për të dërguar të huajt e dënuar në Kosovë. Kemi arritur këtë pikë falë bashkëpunimit të shkëlqyer me kosovarët. Ky projekt madhor dhe novator është një prioritet kryesor për mua, dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe i fortë midis vendeve do ta çoj drejt suksesit”.
Informacion i përgjithshëm
Marrëveshja e bashkëpunimit përfshin, ndër të tjera, afate të reja kohore për rinovimin e burgut, duke përcaktuar që burgu pritet të vihet në operim më 1 prill 2027.
Anekset e marrëveshjes së bashkëpunimit pritet të zgjerohen në një fazë të mëvonshme me udhëzime më të detajuara mbi çështje të ndryshme, si përfaqësuesit e të burgosurve, procedurat për vizitat dhe komisari i burgut.