Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vazhduar serinë e aktiviteteve sportive në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit. Sot, në Qendrën Korrektuese në Lipjan, u organizua maratona simbolike “Vrapi i Ndryshimit”, me gjatësi rreth 2.5 kilometra. Kjo maratonë kishte për qëllim promovimin e ndryshimit, integrimit dhe rehabilitimit brenda sistemit korrektues.
Gjithashtu, ajo synonte të theksonte rëndësinë e sportit si mjet për rritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e mirëqenies fizike dhe psikologjike. Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, të dënuar dhe të dënuara, si dhe përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare, ambasadave, mediave, sportit dhe muzikës.
Maratona u mbështet nga Federata e Atletikës së Kosovës, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në nder të kësaj ngjarjeje jubilare.
Në fund, për tri vendet e para u ndanë medalje dhe mirënjohje, duke përmbyllur aktivitetin me një atmosferë festive dhe motivuese.