05.12.2024
Sot, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, vizitoi Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, dhe Drejtori i kësaj qendre, Ylber Topalli.
Gjatë këtij takimi, Drejtori Dibrani e informoi ambasadorin Hargreaves për aktivitetet dhe rutinat e përditshme të të burgosurave në këtë qendër, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme në fushën e korrektimit, risocializimit dhe rehabilitimit të tyre.
Ambasadori Hargreaves përgëzoi stafin për punën e tyre të palodhur dhe për rezultatet e arritura në këto fusha. Ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për përmirësimin e sistemit korrektues në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për arritjen e rezultateve edhe më të mira në të ardhmen.
Në fund të takimit, në shenjë falënderimi, Drejtori Dibrani dhe Drejtori Topalli i dhuruan ambasadorit Hargreaves punime filigrani të realizuara nga të burgosurat e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan.