Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan u promovua libri me poezi “E mbyllura në vetmi,” shkruar nga e dënuara F. S

Ballina » Në Qendrën Korrektuese për ...

29.10.2024

Sot, në kuadër të aktiviteteve kulturore, Shërbimi Korrektues i Kosovës promovoi librin me poezi “E mbyllura në vetmi,” shkruar nga e dënuara F. S. Ky promovim u mbajt në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin SHKK-në.

Drejtori Dibrani e cilësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në mbështetje të rehabilitimit dhe integrimit të të dënuarave në shoqëri, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit personal përmes shkrimit, artit dhe kulturës. Ai theksoi se kjo nismë pasqyron më së miri vlerat dhe potencialin e të dënuarave për t’u rritur dhe për të ndarë përvojat e tyre me të tjerët.

Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Ylber Topalli, theksoi se promovimi i veprimtarive kulturore në institucionin tonë është një komponent kyç që ndihmon në përmirësimin e jetës brenda kësaj qendre, veçanërisht në përgatitjen e të dënuarave për një riintegrim të suksesshëm në shoqëri pas lirimit.

Autorja e librit, F. S., shprehu mirënjohjen e saj për mundësinë e dhënë për të ndarë përvojën dhe ndjenjat e saj përmes këtij botimi, duke e konsideruar librin si një dritare që i mundëson të komunikojë me botën jashtë.

Libri u redaktua dhe lekturua nga poeti Bekim Kelmendi, u recenzua nga poetja Hyrë Fazlija dhe u botua falas nga shtëpia botuese “InterGraf – Ferizaj”.