Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla dhe Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, me të cilët diskutuan mbi sfidat, sigurinë në institucione korrektuese dhe arritjet kryesore të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Gjatë takimit, diskutimi u përqendrua në përmirësimin e kushteve të punës në institucionet korrektuese dhe avancimin e standardeve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Pas prezantimit të Drejtorit Dibrani, Kryeministri Kurti vlerësoi përpjekjet e Shërbimit Korrektues në ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së të burgosurve, duke theksuar rëndësinë e reformave në sistemin korrektues. Ai shprehu angazhimin e Qeverisë për të investuar më tej në infrastrukturë dhe kapacitetet njerëzore, në mënyrë që të sigurohet një trajtim sa më dinjitoz për të burgosurit dhe përmirësimi i kushteve të punës për stafin korrektues.
Në përfundim të takimit, u dakorduan për nevojën e një qasjeje të koordinuar dhe afatgjatë për përballjen me sfidat në sistemin korrektues të Kosovës, duke synuar në përmirësimin e kushteve dhe avancimin e standardeve që janë në përputhje me normat ndërkombëtare.